Uzuni kërkon rekordin personal të golave, deri tani 21 rrjeta në Hungari!

Në moshën 26-vjeçare është në formën e jetës. Myrto Uzuni e pret me optimizëm rifillimin e sezonit në Hungari, ndërsa është pa dyshim lojtari më i mirë i Ferencvaroshit, dhe me gjasë edhe i gjithë futbollit hungarez për momentin. Sulmuesi i kombëtares shqiptare dha një intervistë për të përditshmen kryesore sportive të Budapestit, “Nemzeti Sport”, duke theksuar objektivat personale dhe ato me ekipin. “Në Superligë dua të arrij në 15 gola, – thotë ai, – deri tani kam shënuar 7 në kampionat, por kemi qenë të shpërqëndruar edhe në raundet eleminatore të Championsit dhe në Ligën e Europës. Tani do të mendojmë vetëm për kampionatin, dhe duam që të fitojmë titullin, por edhe Kupën e Hungarisë”.

Futbollisti kuqezi ka qenë vërtet i veçantë në 5 muaj, duke shkëlqyer në Superligën hungareze, në raundet eleminatore në Champions dhe në fazën e grupeve në Ligën e Europës. Po ashtu në Kupën e Hungarisë. “Unë po kaloj një periudhë të paharrueshme, – shton shqiptari, – kam luajtur gjysmën më të mirë të sezonit në karrierë, me 21 gola në 30 ndeshje, po ashtu kam dhënë 8 asistë Ferencvaroshi e rinis kampionatin këtë të enjte me ndeshjen në fushën e Akademisë Pushkash, dhe Uzuni thotë se synimi është vetëm fitorja.

Kampionët në fuqi të Superligës hungareze, pavarësisht nga një fazë e parë me probleme, janë sërish në vendin e parë me 35 pikë, por rivalët Kishvarda dhe Akademia Pushkash janë fare pranë, pra mbrojtja e titullit nuk do të jetë e lehtë.

Sfidanti.al