Nuk mund të mos kishte dramë. Turneu rus e pati që në ndeshjen e dytë, kur Uruguaji arriti një fitore për infarkt ndaj Egjiptit. U desh të pritej 89’ në stadiumin “Krestovskij” të Shën Peterburgut përpara sesa të vendosej fati i një përballjeje që nuk donte të kishte gola. Heroi për dy herë kampionët e botës erdhi nga qendra e mbrojtjes, dhe ishte Hoze Himenez i Atletikos së Madridit.
Ai i dha fund mallkimit për ekipin e tij, që kishte humbur raste të pabesueshëm, madje me dy nga sulmuesit më të mirë të botës. Nëse Uruguaj do të kishte barazuar, fajtori numër 1 do të kishte qenë ylli kryesor i ekipit, Luis Suarez. Futbollisti i Barcelonës, shpërdoroi jo një, por tri raste të pastër, diçka aspak normale për të.
Gjithsesi, Egjipti pati një arsye të fortë që ndoshta e detyroi të pranonte disfatën. Mungoi Mohamed Salah, protagonisti kryesor jo vetëm i kësaj skuadre, por edhe i gjithë botës këtë sezon, thuajse në një nivel me Lionel Mesin e Kristiano Ronaldon. Dëmtimi i pësuar në finalen e Championsit ndaj Realit bëri që sulmuesi i Liverpulit ta ndiqte ndeshjen nga stoli. Rezultati i Shën Peterburgut bëri që Uruguaj të barazohet me Rusinë, me nga tri pikë në krye të grupit A, ndërsa Egjiptit t’i pakësohen shanset për kualifikim, duke pasur 0 pikë, po aq sa Arabia Saudite.