Në intervistën më të fundit të publikuar ditën e djeshme nga “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Uli Hënese kishte për të gjithë. Legjenda e Bajernit, i cili është edhe arkitekti i ekipit që po dominon futbollin Gjerman në 15 vitet e fundit, ka treguar mendimin e tij mbi disa aspekte.
Ndesheni me Leverkusenin, një duel me një ekip që luan mjaft bukur?
Po e vërtetë, Leverkuseni po bën futboll tërheqës, por nuk ka një trofe për ekipin që luan më mirë. Titullin e fiton skuadra më e fortë. Edhe ne kemi luajtur ndeshje mjaft të mira këtë sezon. Kujtoj atë kundër Dortmund ose atë përballë Shtutgart, kur të gjithë mendonin se do të vinin në fushën tonë për të na dominuar dhe si përfundim të gjithë e dinë si shkoi ai duel (u fitua nga Bajerni 3-1). Gjithashtu them se kemi luajtur mjaft mirë edhe në takimin e barazuar përballë Leverkusenit.
Çfarë duhet të kishte bërë më mirë Bajerni?
Një gjë është e sigurt, ne duhet që të kemi më shumë vazhdimësi. Kur them këtë nuk i referohem rezultateve pasi sot pas 20 takimesh kemi 50 pikë. Nga hera e fundit që kishim kaq shumë pikë pas kaq javësh kanë kaluar plot 6 sezone. Mendoj se edhe kritikat e Tomas Tuhelit në publik janë të tepërta. Jemi goditur nga dëmtimet këtë vit, na kanë munguar plot 10 lojtarë, të cilët janë titullarë me kombëtaret respektive. Mbrojtja jonë këtë vit ka ndryshuar shpesh herë për shkak dëmtimesh. Unë e di fare mirë se ashtu si ne edhe trajneri ynë kërkon t’u ofrojë tifozëve futboll të bukur.
Sapo u mbyll sesioni i merkatos dimërore, çfarë mendimi keni?
Ditët e sotme shikoj se ka humbur disi logjika. Sot të gjithë bëjnë thirrje për blerje të reja sa herë që një lojtar mund të dmëtohet për dy ose tri javë. Më lejoni t’iu them se lajmet për merkaton më duken pa kuptim. Me duket si një kafaz i mbushur më të çmendur. Ajo çfarë kemi dëgjuar nga sesionet e fundit të merkatove vërtetojnë atë çfarë kam menduar.
Keni lajmëruar se me kalimin e javëve do të tërhiqeni nga vija e parë sa i përket vendimmarrjeve në klub.
Ajo cfarë po bëj tani në klub është shumë pak. Gati 90% më pak se çfarë kam bërë verën e kaluar. Tani kemi një drejtor sportiv si Kristof Frojnd, i cili po punon mjaft mirë. Disa thonë se Hënes do më shumë influencë në klub. Nuk më intereson të kem influencë në klub. Unë dua vetëm që të shikoj një ndeshje të bukur të Bajernit ç’do të shtunë nga shtëpia ime në Tegernzi. Nëse do të ishte e mundur të merrnim gjithmonë tri pikë. Por nëse shikoj se diçka shkon keq atëherë do të vazhdoj të them diçka. Të shikojmë se ku do të arrijmë. Kurrë nuk do ta mbyll gojën. Që të mos më dëgjojnë më u duhet që të më hedhin jashtë.
Ju keni ende influencë në bord.
Nuk është një sekret fakti që kemi diskutuar në mbledhjen e Bordit Mbikqyrës të Bajernit për emrin e Maks Eberl si anëtar i këtij bordi për çështjet sportive pra merkaton dhe menaxhimin e skuadrës. Si unë edhe Rumenige kemi zë në këtë kapitull, por ju e dini fare mirë se për të aprovuar Eberl duhet konsensusi edhe i shtatë anëtarëve të tjerë.
A do të ishte gabim nëse do të thoshim se çfarë dëshiron Hënesi bëhet në klub?
Patjetër që është gabim. Nëse unë dhe Rumenige do të rekomandonim blerjen e Herri Kejnit atëherë sigurisht që opioni ynë vlen më shumë se ai i ndonjërit prej shefave të ekzekutivit të kompanive që bashkëpunojnë me ne. Por nëse njëri prej CEO-ve të lartpërmendur thotë se blerja e Kejnit nuk do të kishte kuptim në aspektin ekonomik atëherë sigurisht që opioni i tij vlen më shumë se i yni.
Në bordin e Bajernit ekspertiza sportive nuk mungon.
Unë jam i mendimit se një një bord mbikqyrës duhet që të ketë sa më shumë ekspertizë sportive. Prandaj jam i lumtur që Rumenige u bë pjesë e bordit. Nuk pres që një menaxher financash të një kompanie të madhe të jetë i aftë të dallojë se cili mbrojtës i krahut do të ishte i duhuri për Bajernin. Për këtë motiv si unë edhe Rumenige kemi influencë në vendimet e aspektit sportiv. Të tilla kemi marrë shumë në 12 muajt e fundit. Sa i përket largimit të Salihamixhiç dhe Kahn ju them se jo vetëm unë dhe Rumenige kishim vënë re se klubi kishte marrë drejtimin e gabuar.
Mbi kritikat e përsëritura të Haman për Tuhel.
Një gjë është që të dish të administrosh sulmet që vijnë nga mediet të ndryshme. Tjetër gjë është që të sulmohesh gjithmonë nga i njëjti person. Në këtë rast duhet t’ia bësh të qartë se nuk duron dot më. Këtë javë kemi qenë të fokusuar në ndeshjen me Leverkusenin, por e kemi bërë të ditur se nuk kemi ndër mend që të durojmë kritika të kota. Në rast se do të ketë përsëritje atëherë nuk do të qëndroj i heshtur.
Trajneri ka qenë shpesh herë bë syrin e ciklonit.
Nuk është një shenjë e mirë fakti i ndryshimit të shpeshtë të trajnerëve. Ne jemi një klub që do vazhdueshmëri. Kur kemi punuar gjatë me një trajner kemi qenë të qetë. Kujtoj kohët me Guardiolën, Hajnkesin, Hicfeldin apo edhe Latek. Për momentin nuk kemi një situatë të ngjashme. Por nga ana tjetër kërkesat janë rritur shumë. Mbaj mend se disa vite më parë kur shpalleshim kampionë të gjithë ishin të lumtur ndërsa sot na thonë se sezoni është i dështuar nëse nuk festojmë titullin për Pashkë. Gjithashtu mendoj se ekzagjërohet shumë kur shkruajnë se Bajerni duhet që të shkojë minimalisht në gjysëmfinale të Ligës së Kampioneve. Kur fituamin Champions-in në 2001-in ishim njerëzit më të lumtur në planet pasi në u desh që të prisnim 25 vite për atë sukses. Tani ata, të cilët shkruajnë se duhet të jemi mes katër më të mirave të Europës ç’do vit harrojnë se ne jemi i vetmi klub që shpenzon paratë, të cilat i fitojmë vetë. Ne s’kemi as padronë, as oligarkë dhe as manjatë nafte që na sponsorizojnë.
Çfarë mund të thoni për punën e Alonsos në Leverkusen?
Unë them se rezultatet duken në fushë kur një trajner punon i qetë me lojtarët e tij. Më besoni kur ju them se këtu në Mynih nuk është aspak e lehtë të përqëndrohesh në gjërat që kanë rëndësi. Unë them se në Leverkusen flasin vetëm për futboll ditë dhe natë. Ndërsa këtu në Mynih të hënën në mëngjes lexon në gazetë atë çfarë Tomas Shtrunz, të cilin nuk e kam dëgjuar që prej kohës së Xhovani Trapatonit, të thotë se Bajerni po merr vetem vendime të gabuara.
sfidanti.al