Një kthesë e papritur në procesin gjyqësor mbi vdekjen e Diego Armando Maradonës. Julio Coria, truproja e legjendës së futbollit, është arrestuar me akuzën e rëndë për dëshmi të rreme. Ai ishte i pranishëm në atë që tashmë është quajtur “shtëpia e tmerrit” ditën kur vdiq “El Pibe de Oro” dhe madje kishte tentuar t’i jepte frymëmarrje artificiale në momentet e fundit para vdekjes së tij.
Coria ishte thirrur për të dëshmuar para Gjykatës së Tretë Penale në San Isidro, por situata mori një kthesë të keqe për të. Prokuroria e akuzoi drejtpërdrejt: “Po gënjen në mënyrë të qartë”. Gjykatësit Maximiliano Savarino, Verónica Di Tommaso dhe Julieta Makintach urdhëruan arrestimin e tij pas kërkesës së prokurorëve Patricio Ferrari dhe Cosme Iribarren, si dhe avokatit Fernando Burlando, të cilët theksuan dy kundërthënie të mëdha në dëshminë e tij.
Dy kundërthëniet në dëshmitë e tij
E para lidhet me marrëdhënien e tij me neurokirurgun Leopoldo Luque, mjekun personal të Maradonës. Coria mohoi se kishte ndonjë komunikim me të, duke pretenduar se nuk kishin folur kurrë, as gjatë shtrimit të Maradonës në spital, as në shtëpi, as pas vdekjes së tij. Por gjatë procesit gjyqësor u zbuluan prova të shumta që tregonin të kundërtën: ai dhe Luque kishin komunikuar disa herë, madje edhe për një ftesë për barbecue. Coria u përball me mesazhe në WhatsApp ku neurokirurgu e quante “miku im”, por ai u justifikua duke thënë se nuk i mbante mend ato biseda.
E dyta kishte të bënte me rolin e psikiatres Agustina Cosachov në momentin e përpjekjeve për reanimim. Coria dëshmoi në gjykatë se Cosachov ishte alternuar me infermieren gjatë procedurave për të shpëtuar Maradonën. Por në dëshmitë e tij të mëparshme, ai nuk e kishte përmendur asnjëherë atë. I pyetur për këtë mospërputhje, ai u përgjigj: “Nuk e thashë herën e parë sepse nuk më pyetën ose mund ta kem harruar në atë moment”.
sfidanti.al