Irani rrezikon përjashtimin nga Botërori 2026

Japoni, Zelandë e Re, Argjentinë dhe Iran janë kombëtaret që tashmë janë kualifikuar në Kupës së Botës 2026. Ato i bashkohen Kanadasë, Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, që marrin pjesë automatikisht si vendet organizatore të turneut. Deri tani janë shtatë ekipe të sigurta, por numri do të rritet deri në 48, duke qenë se ky është edicioni i parë i një Botërori me formatin e zgjeruar. Megjithatë, disa prej këtyre vendeve mund të përjashtohen për arsye politike, edhe nëse kualifikohen në fushë. Sipas gazetave amerikane New York Times dhe Wall Street Journal, ekziston një pasiguri e madhe nëse administrata e drejtuar nga Donald Trump do të lejojë hyrjen në SHBA të përfaqësuesve të disa vendeve që janë në një “listë të zezë”. Në këtë grup “të padëshiruar” përfshihen 43 shtete, disa prej të cilave ende kanë shanse për t’u kualifikuar në Botëror.

Një nga këto është Irani, i cili siguroi biletën për në Botëror pas barazimit 2-2 me Uzbekistanin. Megjithatë, edhe pse sportivisht është i kualifikuar, përfaqësuesja aziatike mund të përballet me probleme burokratike për shkak të politikave të Trump.

Shtetet e Bashkuara mund të argumentojnë se masa të tilla janë të nevojshme për arsye sigurie, duke refuzuar dhënien e vizave për ekipin iranian ose, në një version më të butë, duke ndaluar vetëm tifozët iranianë të hyjnë në SHBA.

Sipas Wall Street Journal, kjo nuk është një mundësi që mund të përjashtohet plotësisht. Megjithatë, mbetet e paqartë deri në çfarë mase politikat e Trump mund të ndikojnë në një ngjarje kaq të madhe si Botërori, e cila kërkon koordinim të gjerë logjistik dhe kalime kufitare ndërkombëtare. Një precedent i mëparshëm jep arsye për të besuar se FIFA nuk do të pranojë vendime ekstreme. Në vitin 2023, FIFA i hoqi Indonezisë të drejtën për të organizuar Kupën e Botës U-20 për shkak të kundërshtimit të saj ndaj Izraelit, duke zhvendosur turneun në Argjentinë. Prandaj, duket e pamundur që SHBA të rrezikojë një incident diplomatik me FIFA-n dhe të vërë në dyshim organizimin e Kupës së Botës. Megjithatë, mënyra se si politikat e Trump mund të ndikojnë në këtë situatë mbetet ende një e panjohur pa një përgjigje të sigurt.

sfidanti.al