Tripieri nuk e bën gabimin e Bejlit, pa spanjisht nuk ka sukses

Xhon Toshak e quajti sakrilegj faktin që Garet Bejli nuk mësoi gjuhën e vendit në 6 vjet tek Reali, por uellsiani i shquar duhet të ketë mendim tjetër për Kieran Tripierin. Mbrojtësi i kombëtares së Anglisë deklaroi se po merr mësime spanjishteje 5 herë në javë për t’u përshtatur sa më shpejt tek skuadra e tij e re, Atletiko e Madridit.

“Mësimi i spanjishtes është përparësi për mua, – tha ai për ESPN-në, – kam pajtuar një mësues në Madrid, 5 ditë në javë dhe dy orë në ditë, dhe mendoj se për nja dy muaj do të jem në gjendje që këtë intervistë ta jap në spanjisht”. Ish-lojtari i Totenhemit dëshiron të kuptohet me trajnerin dhe shokët e skuadrës, të jetë 100 për qind pjesë e grupit, diçka që nuk mund të thuhet për Bejlin.

“Jepi Garet, bëj një intervistë dhe tregoje veten, – ishin fjalët e Toshakut për “BBC Radio 5”, – nuk është pëlqyer aspak në Spanjë, dhe kjo më lëndon. Keni 6 apo 7 vjet këtu dhe nuk e flisni gjuhën. Ky është një ofendim për vendasit, dhe shokët dhe për punëdhënësin. Garet Bejli është një lojtar i shkëlqyer, por është fatkeqësi që nuk është integruar me vendin dhe njerëzit”.

Sfidanti.al