Guardiola nuk dorëzohet: Sezoni është ende i gjatë

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, u shpreh i zhgënjyer për rezultatin pas barazimit 2-2 ndaj Nottingham Forest, por theksoi se sezoni është ende i gjatë dhe skuadra e tij ka shumë objektiva për të arritur. “Qytetarët” e panë veten dy herë në avantazh gjatë ndeshjes në “Etihad Stadium”, por kundërshtari arriti të barazojë në të dyja rastet, duke i mohuar Cityt dy pikë shumë të rëndësishme në garën për titull në Premier League. Megjithatë, tekniku spanjoll kërkoi të shihen edhe anët pozitive të paraqitjes së ekipit të tij.

“Ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur. Ne duhet të vazhdojmë përpara dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës”, deklaroi Guardiola pas takimit. Ai theksoi se, në përgjithësi, performanca e skuadrës ishte e mirë, pavarësisht se rezultati nuk ishte ai i dëshiruar. “Nëse e analizojmë ndeshjen, në përgjithësi kemi luajtur mirë për më shumë se 90 minuta. Sigurisht që ka gjëra që mund t’i përmirësojmë, por në përgjithësi ishte një paraqitje e mirë”, u shpreh trajneri katalanas.

Guardiola e pranoi gjithashtu se përballë një kundërshtari shumë të mbrojtur, skuadra e tij krijoi disa raste të mira, por në disa momente i mungoi lidhja më e mirë me sulmuesin kryesor, Erling Haaland. “Ndoshta na mungoi pak më shumë kontakti me Haaland dhe lëvizjet e tij të jashtëzakonshme. Duhet ta kërkojmë pak më shumë në lojë”, shtoi ai. Tekniku i Cityt nuk u ndal shumë tek episodet e diskutueshme të ndeshjes, përfshirë një penallti të mundshme ndaj Haaland, duke theksuar se skuadra duhet të fokusohet te vetja.

“Gjithmonë mendoj se duhet t’i bëjmë gjërat shumë më mirë, në mënyrë që të mos varet gjithçka nga vendimet e gjyqtarëve. Është përgjegjësia jonë të jemi më të mirë”, përfundoi Guardiola. Pas këtij barazimi, Manchester City mbetet shtatë pikë prapa liderit Arsenal, ndonëse ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

sfidanti.al