Tre klube ndjekin Ismajlin

Ardian Ismajli mund të vijojë karrierën në Serinë A edhe sezonin e ardhshëm, pavarësisht rënies së Empolit në Serie B dhe përfundimit të kontratës së tij me këtë klub.

Verona ka shfaqur interes konkret për mbrojtësin shqiptar, duke e konsideruar një përforcim me vlerë. Lazio është një tjetër klub që e ndjek nga afër, me trajnerin Maurizio Sarri që e sheh si opsion për mbrojtjen. Për një kalim të mundshëm në kryeqytet, Lazio duhet të sistemojë disa lojtarë në repartin difensiv.

Ndërkohë, edhe Besiktashi nga Turqia është i përfshirë në garë, duke zhvilluar kontakte të vazhdueshme për të mbyllur marrëveshjen.

Ismajli ka 45 ndeshje me Shqipërinë dhe mbetet një profil i rëndësishëm për çdo skuadër që kërkon përforcime në prapavijë.