Joaquín Caparrós do të jetë trajneri i ri i Sevilla FC deri në përfundim të sezonit 2024/25, pas shkarkimit të García Pimienta. Klubi andaluzian ka arritur një marrëveshje me trajnerin legjendar për të udhëhequr skuadrën në këto shtatë javë të mbetura, në një përpjekje për të shpëtuar sezonin dhe ndoshta për të siguruar një vend në Evropë. Në moshën 69-vjeçare, Caparrós, një ikonë e vërtetë për klubin nga Nervión, i përgjigjet për herë të katërt thirrjes së dashurisë së jetës së tij. Ai do të udhëheqë stërvitjen e parë nesër në qendrën sportive të klubit, pasi mbërriti sot në Sevilla.
Caparrós ka qenë një figurë kyçe në historinë e klubit, duke krijuar një treshe të suksesshme me Monchi-n dhe Roberto Alés, që i hapi rrugën një Seville legjendare. Nën drejtimin e tij, skuadra u ngjit në La Liga në sezonin 2000-2001, duke nisur një epokë të artë për andaluzianët.
Ai ka drejtuar Sevillën në tri periudha të mëparshme: nga 2000 deri më 2005, si dhe si trajner i përkohshëm në 2018 dhe 2019, duke siguruar në të dyja rastet kualifikimin në Evropë. Rikthimi i tij është mirëpritur nga tifozët, të cilët e konsiderojnë një simbol të klubit. Caparrós nuk ka drejtuar asnjë ekip që nga shtatori i vitit 2022, kur u largua nga posti i përzgjedhësit të kombëtares së Armenisë. Tani ai rikthehet në shtëpinë e tij, me misionin për të motivuar një skuadër që ka nevojë për përvojën dhe pasionin e tij për të mbyllur sezonin me nder.
sfidanti.al