Tragjedi në Stamboll, humb jetën një tifoz i Rangers

Tragjedi para ndeshjes Fenerbahçe-Rangers Glasgow, e vlefshme për fazën e 1/16-at të Europa League-s. Një tifoz skocez i Rangers ka humbur jetën pasi është goditur nga një makinë ndërsa po kalonte rrugën në kryeqytetin turk në orët e para të mëngjesit. Sipas raportimeve nga shtypi lokal, viktima, e identifikuar si Christian Potter, është goditur më pas edhe nga një makinë e dytë. Drejtuesit e dy automjeteve janë denoncuar. Incidenti është kapur nga një kamerë sigurie në rrugë: viktima po kalonte në vijat e bardha, por me semaforin e ndezur për qarkullimin e makinave, kur është përplasur nga një automjet i bardhë që po lëvizte me shpejtësi shumë të lartë. Rreth dy mijë tifozë britanikë kanë udhëtuar drejt Stambollit për të ndjekur ndeshjen. Ky është komunikimi zyrtar i Rangers, i cili e ka bërë publike lajmin tragjik në faqen e tij të internetit dhe në rrjetet sociale:

“Klubi është i tronditur nga lajmi për humbjen e një prej tifozëve tanë në një aksident rrugor gjatë natës në Stamboll. Mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e viktimës në këtë moment jashtëzakonisht të vështirë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet turke dhe britanike në lidhje me këtë incident tragjik.”

sfidanti.al