Tirana “harron” Dinamon e Tbilisit, ka nisur misioni “Crvena Zvezda” në Champions!

Kjo sfidë ka përfunduar dhe duhet të harrohet sa më shpejt. Tirana vërtet shkëlqeu në Tbilisi, me fitoren dhe taktikën e saj, ndonëse nuk dha spektakël, ndërsa të besuarit e trajnerit Emanuel Egbo po përgatitet prej ditësh me një objektiv edhe më madhor. Synohet kualifikimi ndaj Crvena Zvezdës në turin e dytë të Championsit, diçka që do të ishte një arritje madhështore për klubin e një vendi modest në futboll si Shqipëria, edhe kur quhesh Tirana dhe ke dalë 25 herë kampion.

Së pari duhet menduar siguria, dhe skuadra bashkë me stafin kreu testet për koronavirusin dy ditë para ndeshjes. Po ashtu, janë marrë masat për dezinfektimin e stadiumit “Arena Air Albania”, ashtu siç është bërë gjatë sezonit edhe në stadiumin “Selman Stërmasi”. Klubi njofton edhe programin e ditës përpara ndeshjes, për të dyja skuadrat.

Tirana do të ketë stërvitje në “Arenë” në orën 20:00, pra në orarin e ndeshjes, dhe stërvitja do të jetë e hapur për 15 minuta për mediat. Gjysmë ore më shpejt, në 19:30, trajneri Emanuel Egbo dhe një futbollist do të dalin në konferencë për shtyp për gazetarët. Crvena Zvezda, ndërkaq, do të ketë konferencë po në “Arenën Air Albania”, në orën 18:30, pra më herët, dhe në 19:00 do të kryejë seancën stërvitore, që gjithashtu do të jetë 15 minuta e hapur për mediat.

Tifozët e Tiranës, ndërkaq, kanë bërë çmos që ekipi i tyre të mos ndihet vetëm. Ata kanë qenë në stërvitjen e zhvilluar në kompleksin “Skënder Halili”, si për të kompensuar mungesën e detyrueshme në stadium për shkak të rregullave kundër koronavirusit.

Sfidanti.al