Tirana do të mbyllë fazën përgatitore të verës me gjashtë miqësore, ndërsa rezultati sportiv është shumë më pak domethënës sesa ajo që kanë treguar bardheblutë në fushë. Një fitore, tre barazime dhe dy humbje, ndërkohë që deri tani mesatarja e golave për ndeshje (1.8 të shënuar dhe 1.8 të pësuar) tregon qartë se skuadra ende nuk ka gjetur ekuilibrat e duhur.
Gjithçka nisi më 19 korrik me humbjen 2-3 ndaj FC Lirisë në “Skënder Halili”, ku ekipi i drejtuar nga Klodian Duro shfrytëzoi dobësitë në mbrojtjen e Tiranës. Patsatsia dhe Tabaku shënuan për bardheblutë në një duel me shumë rotacione dhe mungesë stabiliteti. Më pas, barazimi 1-1 në Fushë-Krujë ndaj Ilirisë tregoi një përmirësim në lojë, por jo në konkretizim. Goli i Tolës nga distanca ishte momenti më i bukur i takimit, ndërsa barazimi erdhi pas pushimit nga vendasit.
Në testin ndaj Panserraikosit, Tirana barazoi 2-2 pas një loje dinamike, ku sulmi prodhoi, por mbrojtja sërish nuk u tregua solide. Rotacionet e shumta dhe mungesa e komunikimit në prapavijë ishin sërish evidente.
Në takimin ndaj Elbasanit më 3 gusht në Greqi, Tirana kaloi në avantazh që në minutën e 3-të me Patsatsian, por verdheblutë përmbysën gjithçka në pjesën e dytë. Tabaku humbi penalltinë e barazimit, duke konfirmuar edhe një herë problemet në momentet vendimtare.
sfidanti.al