Tipike holandeze, dy trajnerët largohen pas finales së Kupës

Për Erik Ten Hagun është folur prej javësh, madje prej muajsh, se ka qenë i përzgjedhuri i Mançester Junajtidit, por nuk është i vetmi. Nëse trajneri i Ajaksit do të jetë në “Old Traford” sezonin e ardhshëm, edhe ai i PSV Ajndhovenit, Roxher Shmit, do të largohet nga ekipi i Filipsit. Siç njofton në Tuiter gazetari Fabricio Romano, Shmiti ka kompletuar kontratën me Benfikën ku pritet të punojë deri në vitin 2024. Diçka tipike holandeze që në fund të sezonit ndodh shthurja e “pëlhurës së Penelopës”, pra ku largohen trajnerë e lojtarë. Ten Hagu dhe Shmiti ishin përballë në finalen e Kupës së Holandës, fituar 2-1 nga PSV Ajndhoveni në stadiumin “De Kuip” të Roterdamit. Pavarësisht se Ajaksi ishte në epërsi në pjesën e parë me golin e Gravenberkut, PSV-ja përmbysi shifrat pas pushimit me anë të Gutierresit dhe Gakposë.

Sfidanti.al