Përpos mungesës së rezultateve në ndeshjet e fundit, sërish është Egnatia, ajo që udhëheq kampionatin dhe për më tepër është edhe kampionia në fuqi.
Nga ana tjetër, janë edhe favoritët për të mbajtur sërish titullin në Rrogozhinë. Mirëpo, për të plotësuar “pazëllin” e një klubi modern, u duhej edhe infrastruktura e duhur dhe një stadium që të ishte në nivelin e skuadrës. Tani mund të thuhet pa frikë se rrogozhinasit e kanë atë, në sajë të ndërhyrjeve që u bënë së fundmi në impiant, duke u dhënë mundësinë të luhet edhe në mbrëmje. Ky investim duket se ka nisur të japë edhe efektet e para më thithjen e sa më shumë sportdashësve në shkallët e stadiumit, sepse edhe oraret janë më të përshtatshme.
Qyteti i Rrogozhinës mund të thuhet pa frikë se e ndien futbollin, sidomos tani kur shohin që skuadra e tyre po i jep tonin në kampionatin shqiptar. Madje, sportdashësit rrogozhinas janë rast unikal në botë dhe ndoshta të denjë për në librin “Guinness”. Sipas censit të fundit, atij të para dy viteve, qyteti i Rrogozhinës ka 5002 banorë, ndërsa e gjithë bashkia 12567 banorë. Relativisht, bëhet fjalë për një qytet të vogël të vendit tonë. Sakaq, stadiumi ka një kapacitet prej afro 5 mijë vendesh, aq sa e gjithë popullsia e qytetit dhe afërsisht sa gjysma e gjithë territorit që zë kjo bashki. Sipas një vëzhgimi, në gjashtë ndeshjet që kampionët kanë luajtur në shtëpi pas rikonstruksionit, mesatarja e të pranishmëve ka qenë afërsisht 2100 tifozë për ndeshje. Bëhet fjalë për numrin zyrtar të raportuar nga zyrtarët e ndeshjes sa i përket të pranishmëve në stadium. Më konkretisht, përkthehet në një mesatare prej rreth 17% të banorëve të Rrogozhinës që kanë ndjekur ndeshjet e ekipit të Egnatias në shtëpinë e tyre, një përqindje që nuk e gjen askund në botë, ndaj për rrogozhinasit mund të thuhet se futbolli zë një pjesë të rëndësishme të jetës së tyre. Sakaq, dy ndeshjet e fundit, me Partizanin në Kupë dhe së fundmi me Elbasanin, edhe për shkak të tifozëve miq, numri i të pranishmëve ka qenë mbi mesataren. Respektivisht bëhet fjalë për 2400 dhe 3000 tifozë. Për fat të keq, zhgënjim i vetëm kanë qenë rezultatet jo të mira të këtyre javëve të fundit në shtëpi, ku veçohet vetëm një fitore me Dinamon.
sfidanti.al