Teuta njofton largimin e sulmuesit Beshiraj

Kur ka mbetur edhe një javë nga mbyllja e merkatos së janarit, vazhdojnë lëvizjet te Teuta. Klubi durrsak ka njoftuar zyrtarisht një tjetër largim nga skuadra e gjysmës së parë të sezonit.

Bëhet fjalë për sulmuesin Mario Beshiraj, i cili nuk do të jetë më pjesë e “Djemve të detit”, pasi ka mbyllur marrëveshjen me mirëkuptim. Beshiraj ka realizuar 3 gola me fanellën e Teutës këtë kampionat, duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës bashkë me Boçin, ndaj dhe duket pak i çuditshëm ky largim në këtë moment. “KF Teuta njofton përfundimin e bashkëpunimit me lojtarin Mario Beshiraj. Klubi e falenderon lojtarin për kontributin e dhënë dhe i uron shumë suksese në vazhdim të karrierës. Faleminderit Mario!” – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit durrsak. Deri në fund të janarit pritet të ketë të tjera lëvizje në kampin durrsak, ndoshta më shumë në dalje, pasi Teuta ka bërë afrime të konsiderueshme gjatë këtij muaji.

sfidanti.al