Teuta largohet edhe Qëndrim Ismajli

Teuta vijon ndryshimet në organikë në prag të sezonit të ri. Pas largimit të Kotobellit, skuadra durrsake ka ndarë rrugët edhe me Qëndrim Ismajlin. Ka qenë vetë 27-vjeçari që ka konfirmuar përfundimin e bashkëpunimit me klubin përmes një postimi në rrjetet sociale. “Nga sot nuk jam më pjesë e Teutës. Faleminderit për korrektësinë klubit dhe shokëve fantastikë për këtë gjysmë sezoni”, shkroi Ismajli. Mbrojtësi iu bashkua Teutës vetëm në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, ndërsa ende nuk dihet se ku do ta vazhdojë karrierën. Klubi durrsak nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar për largimin e 27-vjeçarit. Ismajli bëhet kështu largimi i radhës nga skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova, e cila po kalon një fazë riformatimi para nisjes së kampionatit të ri.