Tebas dhe Duka, tifozët… “me zemër part time”

Në kohën që Javier Tebas ka bërë publike një çështje zemre që lidhet me skuadrën të cilës i ka falur zemrën, në Shqipëri nuk kemi të tilla probleme. “Tebasi” jonë është konsumuar prej kohësh në këtë drejtim sepse zemra e tij ka shkuar në Shkodër. Jo ratësisht, që të dy kanë zgjedhur stema fisnike për t’i cilësuar si të zemrës por sa keq që të dyja klubet e kanë pësuar jo pak herë nga tifozët e tyre më “fanatikë”. Në Spanjë, Tebas është në një luftë të hapur me presidentin Perez i cili përfaqëson gjithë popullin e bardhë.

Kreu i Ligës nuk është aspak dakort me politikën e njeriut të fuqishëm të futbollit madrilen për shkëputjen nga Champions League dhe prej shumë kohësh po përplaset frontalisht me presidentin “Los Blancos” ndërsa në universin tonë paralel, përplasja nuk është fare e dukshme madje të tillë për momentin nuk ka edhe pse dikur e shpesh herë shkodranët me megafonë kanë thirrur për komplot nga ana e federatës për mbështetje një herë të Tiranës apo Partizanit dhe ndonjë herë tjetër në krahun e Teutës apo Laçit, Kukësit e Skënderbeut. Në Shkodër, ai që e ndjen më të afërt presidentin tonë është kreu i klubit kuqeblu sepse tifozët e vërtetë, ashtu si atë të Realit, janë përherë në anën e stemës së qytetit.

Nga Pirro Bardhyli