Teatër “Superior” në Korçë

Superliga shqiptare e futbollit nisi këtë të diel (30 mars) raundin e 32-të. Në Korçë u pa një situatë e turpshme, me Skënderbeun që garon për mbijetesë që përmbysi Dinamon 4-1.

Në stadiumin e Korçës estrada nisi që në fillim, me Dinamon që për befasi kishte hedhur në fushë disa nga lojtarët e U-19 që në fillim. Ishte Qardaku në minutën e dhjetë që kaloi në epërsi Dinamon, me pjesën e parë që u mbyll 0-1.

‘Spektakli’ ishte rezervuar në pjesën e dytë, aty ku korçarët shënuan me Nikaj në minutën e 55-të dhe tripletën e Nasr në minutat 62, 69 dhe 82.

Në kanalet e komunikimit tifozët e Dinamos janë revoltuar dhe klubi në postimet për ndeshjen ka bllokuar komentet, pasi akuzohen për lënie të ndeshjes. Kujtojmë se sfida mes tyre u përfol edhe në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, aty ku Dinamo përmbysi me dyshim Skënderbeun në Korçë, paçka se këta të fundit kishin fituar 0-2 ndeshjen e parë. Me fundin e sezonit në prag, kanë dalë në pah edhe aleancat mes klubeve që dëmtojnë kampionatin, ndërsa si në rastet e tjera nuk pritet të ketë ndëshkime nga FSHF-ja

sfidanti.al