Te Vllaznia nuk ka më titullarë fiks

Vllaznia nuk kaloi një periudhë të qetë pas eliminimit të skuadrës nga Liga e Konferencës me atë humbje 0-4 në Shkodër kundër Valurit. Një eliminim që u përjetua keq, si nga stafi, ashtu edhe lojtarët dhe më shumë nga drejtuesit e klubit, sepse jo vetëm humbën në aspektin financiar, por edhe besimin e tifozëve. Kishte shumë optimizëm se Vllaznia do të bënte mirë jo vetëm në përballjet europiane, por edhe për sezonin e ri. Por nuk ndodhi kështu dhe presidenti Xhaferi nuk i kurseu kritikat për ata që duhet të mbajnë përgjegjësi për ndërtimin e këtij ekipi, dyshen Osmani-Brdariç. Pati edhe gjoba me 50% të pagës mujore, madje edhe paralajmërim se kjo gjë mund të përsëritet, nëse rezultatet do të mungojnë. Irritimi i presidentit duket se bëri që të reduktohen afrimet në merkato, pasi disa nga ata që kanë rinovuar apo kanë ardhur te Vllaznia, me atë që kanë treguar duket se janë larg pritshmërive. Nga sa u pa në miqësoren e fundit ndaj Teutës, duket se ka një ndryshim kursi te Vllaznia, që vjen pas takimit që presidenti Xhaferi pati me trajnerin Brdariç dhe drejtorin sportiv Osmani. Trajneri gjerman e ka ndryshuar jo pak edhe kursin në drejtim të aktivizimit të lojtarëve.

Ai la për herë të dytë në stol mbrojtësin serb Stojanoviç, duke aktivizuar shkodranin Pusi. Po ashtu, në stol në takimin me Teutën u la edhe mesfushori Ardit Deliu, vendin e të cilit e zuri një tjetër shkodran, Alivoda. Tjetër lëvizje që u bë në dy miqësoret e fundit ishte edhe ajo e lënies në stol të Qatos. Vendin e tij e ka zënë 18-vjeçari Kevin Dodaj, i cili po tregon për herë e më shumë se mund të jetë një zbulim i sezonit të ardhshëm. Aktivizimi i këtyre emrave dhe lënia në stol e disa “senatorëve” mund të ketë qenë pjesë e diskutimit në takimin mes presidentit Xhaferi dhe dyshes Osmani-Brdariç. Numri 1 i klubit shkodran kërkon më shumë meritokraci, pa u bazuar tek emrat merkatos, por tek ajo që secili jep në fushë. Mund të jetë një hipotezë, por faktet tregojnë për një ndryshim kursi te Vllaznia pas takimit mes drejtuesve. Ndoshta në miqësoren e radhës me Laçin në fundjavë do të kuptohet diçka më shumë, sepse do të jetë edhe testi i fundit para nisjes së kampionatit. Aty trajneri Brdariç do të prezantojë edhe skuadrën që do të luajë në ndeshjen e javës së parë me Partizanin në kryeqytet.

sfidanti.al