Pas Partizanit, që arriti barazimin 1 me 1, në përballjen e parë të fazës kualifikuese të Ligës së Kampionëve, ndaj BATE Borisov, ditën e enjte është radha e 3 ekipeve të tjera të Superiores të nisin aventurën e tyre evropiane, më konkretisht Tirana, Egnatia dhe Vllaznia, të cilat do të ndeshen respektivisht kundra, Dinamo Batumit, Ararat Armenisë dhe Linfild, në përballjet e para të vlefshme për fazën kualifikueset të Konferenc Ligës. .
Nënkampionët e Irlandës së Veriut, Lindfild do të presin mbrëmjen e nesërme në Belfast, “kuqeblutë” e Vllaznisë dhe nga konferenca për shtyp para sfidës, tekniku i shkodranëve, Migen Memelli foli me optimizëm për 90 minutat që e presin, duke karikuar kështu skuadrën përpara një ndeshjeje tejet të ndërlikuar.
“Përpos emocioneve, ajo që vlerësojmë është përgatitja e madhe që ka bërë skuadra në këto 30 ditë. Djemtë janë përkushtuar shumë. E parë kjo në këndvështrimin tonë, nesër besojmë se do të bëjmë një performancë shumë të mirë.
Ajo ç’ka më lind të them është se djemtë kanë punuar shumë mirë dhe jemi këtu për të bërë gjërat e duhura që të kemi qartësinë në këtë 90-minutësh të parë.
Kundërshtarin e njohim, por duhet pasur parasysh se rezultati i ndeshjes së parë është shumë i rëndësishëm. Kemi punuar shumë në terren, kundërshtari është i fortë, siç e thashë, nuk dua të zbuloj më tepër.”,- u shpreh Memelli.
sfidanti.al