Kevin Gameiro i jep lamtumirën futbollit të luajtur dhe e bën këtë përmes një postimi të gjatë në Instagram:
“Nga Strasburgu në Valencia, duke kaluar nga Lorient, PSG, Sevilla dhe Atletico Madrid, çdo moment i kaluar në fushë do të mbetet i skalitur në kujtesën dhe mbi të gjitha në zemrën time. Por ka ardhur momenti të mbyll këtë kapitull të mrekullueshëm të jetës sime me krenari dhe një ndjenjë nostalgjie. Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tim: qendrën time të stërvitjes, shokët e skuadrës, klubet e mia, trajnerët e mi, ekipin kombëtar të Francës, ku pata fatin të jem pjesë, stafet teknike dhe mjekësore, agjentët e mi dhe mbi të gjitha ju, tifozët e mi, që më keni mbështetur gjithmonë dhe më keni dhuruar kaq shumë dashuri… Po e kthej faqen, por dashuria për futbollin do të mbetet gjithmonë.”
Gjatë karrierës së tij, sulmuesi i lindur në vitin 1987 ka grumbulluar 715 paraqitje si profesionist, duke shënuar 240 gola dhe dhuruar 78 asistime. Sa u përket trofeve, ai ka fituar një kampionat francez (2012-2013 me PSG), një Copa del Rey (2018-2019 me Valencian), dhe mbi të gjitha, katër Europa League: tri me Sevillan dhe një me Atletico Madrid. Me Kombëtaren e Francës, Gameiro ka regjistruar 13 paraqitje dhe ka shënuar 3 gola.
sfdanti.al