Osasuna dhe Barcelona kundër datës 27 mars

Federata Spanjolle ka njoftuar datën e rikuperimit të ndeshjes mes Barcelonës dhe Osasunës, e cila fillimisht ishte parashikuar për më 8 mars, por u shty për shkak të vdekjes së mjekut të ekipit të Barcelonës, Carles Miñarro. RFEF ka caktuar 27 marsin si datën kur do të luhet ndeshja, ndërkohë që ora do të vendoset nga La Liga. Ky vendim ka shqetësuar si Barcelonën, ashtu edhe Osasunën, të cilët, sipas AS, do të bëjnë ankesë brenda afatit 48 orësh. Arsyeja e ankesës është se shumë lojtarë do të jenë ende me kombëtaret e tyre, ndërsa skuadra e Pamplonës, sipas kalendarit, do të luajë më 28 mars kundër Bilbaos në ‘San Mamés’. Osasuna ka sugjeruar si mundësi datat e fundjavës së finales së Kupës së Mbretit nëse Barça nuk do të jetë aty (26-27 prill), 7 ose 8 maj nëse Barça arrin në finale të Kupës së Mbretit, por eliminohet nga Liga e Kampionëve, ose një datë mes 18 dhe 25 maj, edhe pse theksohet se kjo mund të jetë një çështje e ndërlikuar, pasi do të ishte mes javës 37 dhe 38 të kampionatit. Edhe katalanasit kanë sugjeruar këtë periudhë si të përshtatshme, duke e justifikuar me një precedent të mëparshëm: një ndeshje në sezonin 2016/17 mes Real Madridit dhe Celta Vigo-s, e luajtur mes javës 37 dhe 38 të kampionatit.

 

sfidanti.al