I mjaftuan vetëm 30 minuta për të bindur trajnerin e ri dhe për të ndryshuar të ardhmen e afërt. Ernest Muçi ishte futbollisti më i mirë në fushë për Beshiktash në ndeshjen e fundit, duke i lënë mbresa teknikut Ole Gunnar Solkjaer. Në fakt, norvegjezi e ndoqi sfidën në tribunë, pasi ende nuk ishte prezantuar nga klubi turk. Por duke qëndruar në atë që raportojnë mediat në vend, kaq i ka mjaftuar Solskjaer të marrë një vendim për sulmuesin shqiptar. Tekniku i ka kërkuar klubit të fshijë emrin e Muçit nga lista e shitjeve në merkation e dimrit. Futbollisti i kombëtare kuqezi kishte bërë valixhet gati, në pritje të një oferte të rendësishme, por tani duhet të bëjë hapa pas. Me Soskjaer në pankinë, ai pritet të jetë një lojtar i rëndësishëm formacioni për shkak të karakteristikave të tij taktike dhe teknike. Por edhe deri tani, statistikat e Ernest Muçit me Beshiktash në këtë sezon nuk janë aspak të këqia. Në kampionatin turk, sulmuesi kuqezi numëron 15 ndeshje, ku ka shënuar 4 gola. Po ashtu, ka luajtur 4 sfida në Ligën e Europës, me 1 gol dhe një asist. Tani që e ardhmja e tij është qartë, Muçi do të ketë mundësi t’i përmirësojë ndjeshëm këto shifra.
sfidanti.al