Skandali me bastet, në hetime përmendet djali i Pirlos

Një tjetër skandal bastesh po trondit futbollin italian. Këtë herë, emri i Nicolo Pirlo, djal i legjendës italiane Andrea Pirlo, është përmendur në dokumentet hetimore të Prokurorisë së Milanos, lidhur me një rrjet të paligjshëm bastesh ku janë përfshirë edhe disa futbollistë të njohur. Sipas mediave italiane, Nicolo Pirlo nuk është nën hetim, por emri i tij del në një bisedë midis mesfushorit të Fiorentinës, Nicolo Fagioli, dhe arbitrit Pietro Marinoni, të dy të përfshirë në këtë rrjet dhe aktualisht nën hetim.

Fagioli u dënua me 7 muaj pezullim në tetor të vitit të kaluar për bastvënie në ndeshje futbolli, ndërsa Marinoni është pezulluar përkohësisht nga Shoqata e Arbitrave.

Në bisedën e përgjuar, Fagioli thotë: “Pirlo (Nicolo) më tha që kishte hyrë në ato platforma të paligjshme. Nuk flinte natën, vinte bast për NBA-në, për ribaunde, dhe gjithmonë humbiste diçka.” Marinoni i përgjigjet: “Është një nga tanët.”

Bëhet e ditur se Andrea Pirlo kishte zbuluar aktivitetin e të birit dhe i kishte bllokuar llogaritë bankare deri sa të mbushte 18 vjeç. Sipas Fagiolit, Nicolo kishte krijuar një borxh prej 30 mijë eurosh që në moshën 17-vjeçare.

Në këtë rrjet bastesh janë përfshirë edhe emra të tjerë të njohur si Leandro Paredes, Ángel Di María dhe Junior Firpo, të cilët janë aktualisht nën hetim. Deri tani, nuk ka prova që ata të kenë vënë baste në ndeshje futbolli – diçka që do të sillte ndëshkime nga Federata – por nëse vërtetohet pjesëmarrja e tyre në këtë rrjet të paligjshëm, rrezikojnë ndëshkime penale.

Ndërkohë, Guardia di Finanza e Milanos ka sekuestruar paraprakisht 1.5 milionë euro nga disa prej të dyshuarve, përfshirë bastexhinj dhe ortakë në biznese të përfshira në këtë aktivitet ilegal, për veprat penale të lojërave të paligjshme, pastrimit të parave dhe përgjegjësisë administrative të subjekteve.

 

sfidanti.al