Për fat të keq mund të jesh edhe heroi negativ. Rej Manaj, i shquar për golat e tij të shumtë në Superligën Turke për Sivasporin, për Këpucën e Bronzit që fitoi vjet, tashmë, është i detyruar të përballet me një “pogrom” të vërtetë. Mediat dhe analistët në Stamboll dhe Ankara i janë vërsuluar sulmuesit të kombëtares shqiptare, pasi ai shkeli dhe dëmtoi rëndë lojtarin e Gallatasarajit dhe të kombëtares turke, Barish Alper Jilmaz. Ndërhyrja ishte vërtet brutale, që shkaktoi dëmtim dhe për habi nuk mori të kuq nga arbitri, edhe pse VAR-i hyri në lojë. Tepër I ashpër ish-lojtari i kombëtares turke, sot trajner, Ymit Karan. “Ajo që bëri Manaj është mungesë e madhe karakteri dhe pafytyrësi. A mund të ndërhyhet në këtë mënyrë nga prapa? Gënjeu që tha se e shtyu ambicia si futbollist. Pastaj, gabimi I arbitrit ishte I rëndë. Atë e thirrën tek VAR-i, si mundi që të mos jepte karton të kuq?” Analisti Sergen Jalçin deklaroi në televizionin “Ekol TV” se nëse do të kishte qenë ai në vend të Federatës Turke të Futbollit, do ta kishte dënuar Manajn me 10 ndeshje pezullim!
Gallatasaraj ndërkaq kërkoi ndëshkim të ashpër për gjyqtarin e ndeshjes. Presidenti Metin Ëzturk deklaroi se ai gjyqtar duhet të mos arbitrojë më, ndërsa shtoi se Manaj e vrau lojtarin e kombëtares turke, Barish Alper Jilmaz, dhe e bëri ndërhyrjen me qëllim. Gjithsesi, në rrjetet sociale një tifoz futbolli me emrin Ridvan Aksu kujton rastin e lojtarit të Gallatasarajit, Lukas Toreira, që ka shkelur disa herë kundërshtarët, ndaj fton analistët, klubin dhe tifozët e tij që të jenë më të përmbajtur dhe jo të kërkojnë “t’i thyejnë këmbët Manajt”. Vetë sulmuesi kuqezi reagoi shpejt në rrjetet sociale, duke kërkuar falje, e duke deklaruar se ndërhyrja e tij nuk ishte bërë me qëllim të keq, ndërsa I uron kundërshtarit shërim të shpejtë. Gjithsesi, mësohet se Federata Turke e Futbollit ka hapur një hetim për rastin, në pritje të dokumentacionit, ndërsa Disiplina do të shqyrtojë edhe pamjet filmike. Duket e sigurt që Manaj do të marrë një ndëshkim të fortë, por ende nuk dihet sesa mund të jetë pezullimi.
sfidanti.al