Shqipëria ndër vite ka pasur lojtarë të shumtë që kanë veshur fanellën, duke u kthyer në lojtarë që kanë kontribuuar prej vitesh, e njëkohësisht ka pasur edhe nga ata që kanë luajtur një herë apo edhe janë grumbulluar për të mos debutuar kurrë. Veç skuadrës që ka përfituar nga lojtarët, të shumtë kanë qenë edhe lojtarët që kanë përfituar nga debutimi me fanellën e Shqipërisë, vlera e të cilëve ka ndryshuar pas debutimit me fanellën kuqezi, ku shumë prej tyre janë rritur.
Rritja e vlerës së lojtarëve pas debutimit me Kombëtaren, është një tregues i drejtpërdrejtë i ndikimit që ka ekspozimi ndërkombëtar në karrierën e futbollistëve. Sipas të dhënave nga “Transfermarkt”, disa prej lojtarëve shqiptarë kanë përjetuar një rritje të ndjeshme të vlerës në treg menjëherë pas hedhjes së hapave të parë me fanellën kuqezi, duke u kthyer në ndër emrat më të vlerësuar në historinë e Kombëtares në këtë aspekt. Në krye të kësaj liste qëndron Marash Kumbulla, i cili pas debutimit të tij në vitin 2019 pa një rritje të menjëhershme dhe të fuqishme të vlerës në treg.
Një tjetër emër i rëndësishëm është Nedim Bajrami, i cili shënoi një rritje prej 4 milionë eurosh pas debutimit në vitin 2021. Nga 6 milionë euro, ai arriti në 10 milionë, teksa nën drejtimin e Silvinjos ishte edhe një nga më të preferuarit në skuadër. Në listë përfshihet edhe veterani Elseid Hysaj, i cili megjithëse debutoi shumë herët, arriti të rrisë vlerën e tij nga 900 mijë euro në 2.5 milionë euro, një rritje prej 1.6 milionë eurosh. Rritja e tij lidhet me kalimin në nivele më të larta të futbollit italian.
sfidanti.al

