Në “Kamp Nou” nuk ishte version që ai donte, dhe që shpresonin tifozët. Filip Kutinjo kaloi sezonin më të vështirë të karrierës tek Barcelona, dhe katalanasit mezi presin që ndonjë klub i madh të vijë e t’u trokasë në derë për brazilianin. Deri tani, flitej për Mançester Junajtidin, por në Katalonjë ka dalë në skenë edhe emri i Liverpulit.
Gazeta “Sport” shkruan se Jurgen Klop po mendon ta marrë sërish lojtarin që shkëlqeu në “Anfild” dhe që u transferua për më shumë se 150 milionë euro, transferimi i tretë më i shtrenjtë në histori pas Nejmarit e Mbapesë. Nuk dihet saktë nëse trajneri liverpulas do ta ndajë mendjen për “po”, veçse mendohet që ai ka shpresë që Kutinjo në Angli të jetë sërish ai i dikurshmi.
Me një sulm të përbërë nga Salah, Firmino e Mane, dhe me një mesfushë të fortë, braziliani do të shtonte klasin dhe do ta bënte edhe më të fortë, edhe më të paparashikueshme skuadrën kampione të Europës. Liverpuli mund të dilte me fitim në këtë histori, pasi Barcelona mund të pranonte edhe ulje çmimi deri në 100 milionë euro, apo diçka më shumë. Në fund të fundit, Klopi kërkon titullin kampion në Premier Ligë, dhe për këtë ia vlen të shpenzosh.
Sfidanti.al