E nisëm pikërisht aty ku e lamë. Pas një faze eleminatore të Nations League, ku na mundi kush dëshiroi, në “Loro Boriçi” ishte Turqia që u largua me pikët e plota, pas një fitore të pastër 2-0. Në fakt e luajtëm ndeshjen vetëm në 45 minutat e para, aq sa u krijua përshtypja, se në rast të një rezultati negative do të mund të shfrytëzonim shprehjen epike: Ishte një humbje dinjitoze. Fillimisht, u duk se Panuçi kishte hequr dorë përfundimisht nga filozofia e tij për të ndërtuar në Shqipëri një skuadër thellësisht sulmuese, pasi e nisi ndeshjen me pesë mbrojtës, dy shkatërrues dhe Memushajn që duhet të bënte fantazistin, ndërsa Uzuni pas Balajt në majë të sulmit. Kombëtarja jonë tentoi të presonte lart dhe në minutat e para ia arriti disi qëllimit, madje i vuri në vështirësi turqit, por ky intensitet u ruajt deri në të 22’, ku pas një gabimi të Gjimshitit, Burak Jëllmaz mposht Etrit Berishën, ndërsa filozofia e re e Panuçit filloi të kompromentohet. Por nëse mund të thuhet se deri në përfundim të pjesës së parë nuk ishim fiks ata të Ligës së Kombeve, kjo sepse në gjysmën sipër skuadra e ruajti një farë ritmi dhe rrezikshmërie, ndërsa mbrojtja ishte krejt gjë tjetër, vërtetë e trishtueshme për t’u parë. Dhe luhej me tre në qendër, Gjimshiti, Veseli dhe Ismajli, pikërisht si në kohët e lashta, kur aplikohej skema klasike, me një mbrojtës të lirë dhe dy stoper.
Ndërsa pjesa e dytë ishte ajo e zakonshmja, shembulli se si mund të bëhesh i bezdisshëm për të gjithë, duke përfshirë edhe ata që kanë pranuar ato çmime të ekzagjeruara biletash. Kombëtarja nuk funksionoi, duke mos krijuar pothuajse asgjë. Në të 55’, Çalhanoglu i jep goditjen e fundit përfaqësues tonë. Kështu, Sadiku e humbi bastin entuziast që kishte vënë me trajnerin, për dy fitore në ndeshjet e para, Panuçi si gjithmonë e humbi vetbesimin deri në arrogancëve të ditëve të grumbullimit, ndërsa ekipi u bë përsëri i vogël, siç e kemi parë prej kohësh. Madje aq i vogël, saqë përtoi t’i luante edhe gjashtë minutat shtesë të akorduara nga arbitri gjerman Tobias Shtiler dhe pranoi të largohej e dorëzuar nga stadium i Shkodrës, megjithëse përballë kishte një kundërshtar të zakonshëm. Ndërkohë që edhe ndeshjet e tjera të grupit tonë nuk kishin supriza, pasi Islanda fitoi 0-2 në Andorra, ndërsa Franca 1-4 në Moldavi.