Shqipëria zyrtarizon dy miqësoret modeste të qershorit

Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshje miqësore para finaleve të Europianit “Gjermani 2024” ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit. Ashtu siç është bërë e ditur më parë nga Departamenti i Komunikimit në FSHF, takimi ndaj Lihtenshtejnit do të luhet më datë 3 qershor, ndërsa ndaj Azerbajxhanit më datë 7 qershor.  Ndërkohë është vendosur edhe stadiumi ku do të luhen këto takime si dhe orari i sfidave. FSHF ka gjetur akordin me federatat përkatëse që ndeshjet ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit të zhvillohen në Hungari në “Haladás Sportkomplexum”. Takimi ndaj Lihtenshtejnit do të luhet më datë 3 qershor në “Haladás Sportkomplexum“ në orën 20:00, ndërsa ndeshja ndaj Azerbajxhanit më datë 7 qershor po në “Haladás Sportkomplexum“ në orën 19:00.

Pas dy sfidave miqësore, në muajin qershor Shqipëria do të nisë edhe rrugëtimin në Kampionatin Europiani “Gjermani 2024”. Më datë 15 qershor kuqezinjtë do të luajnë takimin e parë ndaj Italisë, në orën 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”. Katër ditë më pas, më datë 19 qershor kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Europianit kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”. Ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor, në stadiumin “Dusseldorf Arena”, në orën 21:00.

sfidanti.al