Edhe këtë herë pati protagonizëm të kuqezinjve. Futbollistët shqiptar u dalluan në liga të ndryshme europiane, e ndoshta ai që mund të veçohet më shumë ishte Indrit Tuci. Sulmuesi 22-vjeçar i Shpresave shënoi gol dhe shërbeu asist në Ligën e Parë të Kroacisë, ku Lokomotiva e tij e Zagrebit barazoi 2-2 me Hajdukun e Splitit. Golin e parë për Hajdukun e shënoi lojtari i Kosovës, Emir Sahiti, duke treguar klasin e tij, ndërsa skuadra mike vazhdoi të kishte epërsi. Gjithsesi, edhe pse rezultati shkoi në 2-0 për ekipin nga Spliti, Lokomotiva nuk u dorëzua dhe ndihmën kryesore e dha Tuci.
Lojtari shqiptar fillimisht dha asistin për golin e parë të vendasve në minutën e 88-të Në sekondat e fundit, shqiptari realizoi kryeveprën e tij duke i dhënë Lokomotivës barazimin 2-2. Padyshim që kjo ishte një nga rrjetat më të bukura të javës në elitën e futbollit kroat.
Ndërkaq, derbi shqiptar në Ligën e Dytë të Spanjës përfundoi pa gola. Përballë ishin Armando Sadiku dhe Myrto Uzuni, por dy sulmuesit nuk mundën të realizonin edhe pse patën mundëi. Uzuni, shënuesi më i mirë i kampionatit me 8 gola, luajti për 90 minuta, ndërsa Sadiku u zëvendësua në pjesën e dytë. Sfida mes Kartagjenës dhe Granadës u mbyll 0-0, ndërsa dy ekipet janë në pozita të njëjta në renditje duke pasur shpresë për t’u ngjitur në La Ligë. Në Turqi, sakaq, ishte radha e Bekim Balajt për të realizuar. Sulmuesi 31-vjeçar kuqezi, pas golit me kombëtaren, shënoi edhe një tjetër në Ligën e Parë të Turqisë, ku ekipi i tij fitoi 3-1 jashtë fushe. Shpresat janë që Balaj të ngjitet në Superligën turke sezonin që vjen.
Sfidanti.al