Sergio Conceição vendos Milanin në dietë

Sergio Conceição po i provon të gjitha për ta nxjerrë Milanin nga kriza që po kalon. Trajneri portugez nuk po fokusohet vetëm te aspekti mendor apo tekniko-taktik, por edhe te fiziku i lojtarëve. Sipas ‘La Repubblica’, Conceição ka vënë re probleme me peshën e disa lojtarëve dhe ka vendosur t’i fusë ata në dietë. Një nga emrat që ka rënë në sy është Mike Maignan, portieri francez i konsideruar si jo mjaftueshëm i shkathët dhe reaktiv mes shtyllave, për shkak të peshës së tij së tepërt dhe mungesës së formës fizike. Për këtë arsye, trajneri ka vendosur një kontroll të rreptë të ushqimit, ndërsa të gjithë lojtarët do të peshohen çdo ditë për të ndjekur efektet e dietës. Por nuk mjafton vetëm humbja e kilogramëve. Për të analizuar formën fizike të skuadrës, stafi i Conceição-s ka nisur edhe monitorimin e cilësisë së gjumit të lojtarëve, i cili shpesh konsiderohet i pamjaftueshëm dhe jashtë standardeve të një atleti profesionist. Këto masa mund të duken si një lëvizje e dëshpëruar për të shpëtuar sezonin, por nga ana tjetër, ato mund të ndihmojnë Conceição-n të bëjë zgjedhje më të sakta për formacionin dhe të përmirësojë performancën e ekipit në fushë.

sfidanti.al