Santos, Neymar përballet me kritika

E ardhmja e Neymarit në futboll vazhdon të jetë në pikëpyetje, ndërsa nga Brazili vijnë raportime për probleme brenda klubit të Santosit. Sipas Globo Esporte, në ambientet e klubit ekziston bindja se ylli brazilian është lodhur nga presioni dhe kërkesat e përditshme të futbollit, duke menduar edhe mundësinë e tërheqjes përfundimtare nga sporti. Megjithatë, raportohet se babai i tij po e shtyn të vazhdojë karrierën, për shkak të angazhimeve të shumta komerciale që lidhen me emrin e tij.

Situata te Santos nuk duket ideale, pasi burime pranë klubit pretendojnë se Neymar është bërë i vështirë për t’u menaxhuar në përditshmëri. Sjellja e tij, e cilësuar si egoiste nga disa persona brenda skuadrës, thuhet se ka shkaktuar pakënaqësi te lojtarët, trajnerët dhe drejtuesit. Gjithashtu, është vënë në diskutim edhe roli i tij si lider, sidomos pas një incidenti të ndodhur në muajin maj, ku ishte përfshirë Robinho Jr. Këto zhvillime vijnë pak kohë pasi Neymar njoftoi tërheqjen nga Kombëtarja e Brazilit, ndërsa mbetet e paqartë nëse ai do të vijojë aventurën e tij në nivel klubesh apo do t’i japë fund karrierës aktive.