Liverpooli ka nisur lëvizjet konkrete për transferimin e Bradley Barcola nga Paris Saint-Germain, në një nga operacionet më të bujshme të merkatos së verës. Sipas raportimeve të gazetarit Paul Joyce, “The Reds” janë gati të paraqesin një ofertë prej rreth 100 milionë paundësh, plus bonuse të lidhura me paraqitjet dhe arritjet sportive, për të bindur kampionët francezë që të heqin dorë nga anësori 23-vjeçar. Barcola konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit evropian. Shpejtësia, teknika dhe aftësia e tij për të luajtur në krahët e sulmit kanë bërë që ai të jetë në radarët e disa prej klubeve më të mëdha.
Liverpooli e sheh francezin si një përforcim kyç për repartin ofensiv dhe një investim afatgjatë për skuadrën. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse PSG do ta pranojë ofertën apo do të insistojë për ta mbajtur një prej lojtarëve më të rëndësishëm të projektit të saj. Negociatat pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, ndërsa Barcola mund të jetë një nga emrat më të mëdhenj të merkatos së kësaj vere.

