Ronaldo shënon për Portugalinë, por Maroku eleminoi vetveten!

Një gol në fund dhe një në fillim. Ky ishte fati i keq i Marokut, tashmë të eleminuar nga Botërori, ndërsa pas Iranit, suksesin e arriti edhe Portugalia. i përhershmi Kristiano Ronaldo ishte njeriu i suksesit, të paktën duke bërë atë që vendosi fatin e sfidës së grupit B, golin e vetëm të saj që në minutën e 4-ët.

Janë katër rrjeta për Topin e Artë, shënuesi më i mirë në Rusi deri tani, njeriu i vetëm që realizon për kampionët e Europës. Kristiano ka tani 85 gola me kombëtaren, një më shumë se Ferenc Pushkash i Hungarisë, në vendin e dytë të renditjes së të gjitha kohëve.

Portugalia ende nuk është e kualifikuar, por nuk besohet se do të gabojë në përballjen e fundit në grup, ndaj Iranit. Kjo, megjithatë, është vetëm ajo që tregon rezultati, pasi gati 100 minutat e lojës në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, ishin krejt tjetër gjë.

Maroku jo vetëm ishte skuadra më e mirë në fushë, por mund të thuhet se ishte e vetmja që kërkoi të luante, ndoshta e detyruar nga pësimi i golit shpejt. Futbollistët afrikanë bënë çdo gjë mirë, por vetëm një gjë krejtësisht gabim, gjuajtjen drejt portës. Tri herë Benatia, dy herë Zieç, por edhe Faisal, Busufa e Belhanda patën mundësi të shumta për të shënuar, por shpërdoruan, duke mos përballuar dot presionin psikologjik të një nivelit të tillë. Marokenët, gjithnjë simpatikë në Botëror, i qendruan besnik imazhit të tyre, me Amrabarin, një nga më të mirët në fushë.

Portugalia, nga ana e saj, u tregua pragmatiste. Ashtu si ndaj Spanjës, praktikoi kundërsulmin, me shpresën tek Ronaldo, që mund të kishte shënuar edhe ndonjë gol tjetër, dhe që ndihmoi shokët për të realizuar edhe ata. Portugezët duken të njëjtët si në Europian, por nuk dihet nëse ky nivel mund të mjaftojë që të shkojnë përpara në Kupën e Botës.

Sfidanti.al