Prezantimi i CR7-ës tek Al Nasri pati edhe një lapsus, ndonëse është diçka që ndodh edhe me një lojtar të përmasave të tilla. “Për mua nuk është fundi i karrierës që vij këtu në Afrikën e Jugut, – tha portugezi, duke bërë një gafë, – Unë e doja një ndryshim dhe ndershmërisht nuk e vras shumë mendjen se çfarë thonë njerëzit. Unë e mora vendimin tim dhe kam përgjegjësinë për të bërë detyrën. Jam shumë i lumtur që jam këtu”.
Ndërkaq, Kristiano nuk hoqi dorë nga mburrjet, siç e ka pasur huq gjithmonë, kur u pyet për kontratën e tij të paprecedentë prej 200 milionë eurosh në sezon. “Unë jam një lojtar unik, – tha ai, – Është diçka e bukur që kam ardhur këtu. Në Europë theva të gjitha rekordet, tani duhet t’i thyej edhe këtu. Për mua, kjo është një mundësi e madhe. Kjo kontratë është unike sepse unë jam gjithashtu një lojtar unik. Për mua është normale”.
Gjithsesi, kritikat nga Perëndimi, sidomos nga mediat angleze, kanë qenë të ashpra. Shumë analistë e kanë cilësuar transferimin e tij në Arabi si një fatkeqësi, si një rënie në një “Vrimë të Zezë”. Po ashtu, pati tallje mediatike pas një gabimi teknik të Ronaldos me topin gjatë prezatimit, ndërsa presidenti i Turqisë, Erdogan, deklaroi pak ditë më parë se CR7-ën po e sulmojnë sepse përkrahu Palestinën.
Sfidanti.al