Roma merr Di Françeskon, trajnerin e ri më të lavdëruar në Itali!

Euzebio Di Françesko e bëri kapërcimin e madh të radhës. Nga Sasuolo, skuadër modeste e Serisë A, kalon tek Roma, një nga realitetet më të mëdha të Italisë. Një goditje “në shenjë” e kryeqytetasve pasi bëhet fjalë për një nga trajnerët e rinj më të lavdëruar në Itali pas asaj që bëri me klubin e vogël, të cilin e kualifikoi vjet në Ligën e Europës. Largimi i Spaletit pra, nuk la një boshësi. Di Françesko, ish-lojtar dhe ish-menaxher skuadre tek Roma do të ketë një kontratë 2-vjeçare dhe sipas mediave italiane rroga mund të shkojë (bashkë me shpërblimet e ndryshme) në 2 milionë euro në sezon.

Monçi, drejtori i ri sportiv i verdhekuqve, nuk humbi kohë por shkoi në Rexho Emilia dhe pranoi t’i jepte Sasuolos një dëmshpërblim, dhe po ashtu të bënte disa lëshime të tjera. Trajneri 47-vjeçar lë pas një pjesë të karrierës ku drejtoi ekipe si Virtus Lançiano, Peskara, Leçe dhe Sasuolo, për të hyrë në “Sallonin e Madh” të Serisë A. Edicionin e ardhshëm prej tij do të kërkohet titulli kampion dhe suksesi në Champions.

Sfidanti.al