Dinamo City dhe Tirana do të rikthejnë sot futbollin e rëndësishëm shqiptar për vitin 2024. Pas pushimeve të shkurtra të dimrit, skuadrat kanë ndryshuar faqe por në lojën e topkëmbës do të rikthehen me halle të vjetra. Tirana mes 1001 problematikave që rrjedhin nga problemet financiare, duket se nuk ka mundur të sigurojë paratë për të zhbllokuar merkaton siç bëri Dinamo City që në krahun tjetër ka bërë shumë lëvizje e koha do të tregojë për mirë a për keq. Bardheblutë si një nga markat më të titulluara të Shqipërisë nuk e meritojnë nofkën e të “varfërit” por kjo është situata aktualisht dhe askush nuk mund ta ndryshojë.
Ahmataj duhet të “bëjë bukë me miellin” që ka në dispozicion dhe ai nuk është edhe aq jocilësor. Largimi i Hasanit dhe Hilës e ka dobësuar edhe më shumë skuadrën që gjithsesi mbetet konkurruese e në formatin e ri të imponuar nga FSHF ka shanse të mira për t’u kualifikuar mes 4 më të mirave. Në krahun tjetër, Dinamo e Mehmetit rikthehet me shpresa të mëdha se kjo pjesë e dytë e sezonit mund t’i sjellë në shportë shumë pikë të lëna rrugës nga Di Biaggio për të shënjestruar Europën dhe ky është një objektiv mëse i arritshëm, bazuar në merkaton e klubit.
Nga Pirro Bardhyli