Kampionati i futbollit rikthehet pas pauzës për dy ndeshjet e kombëtares. Të shtunën dhe të dielën luhen ndeshjet e javës së nëntë, e cila mbyll fazën e parë të Abissnet Superiore. Spikasin Tirana-Dinamo dhe Elbasani-Partizani. Dy ndeshjet e kombëtares tashmë janë lënë pas, humori është kthyer pas fitores në Gjeorgji, dhe tani vëmendja zhvendoset te kampionati kombëtar i futbollit. Të shtunën dhe të dielën do të luhen ndeshjet e javës së nëntë, e fundit e fazës së parë të Abissnet Superiore. Pauza e kampionatit nuk është asnjëherë e dëshiruar nga trajnerët e skuadrave, sidomos kur kanë gjetur ritmin dhe hapin e fitoreve, si në rastin e Partizanit, megjithatë këtë herë është ndryshe, përfshirë edhe për të kuqtë kryesues.
Ilir Daja i Dinamos e ka deklaruar më se një herë që e priste ndërprerjen për të punuar me lojtarët për aplikimin e ideve të tij, por kjo vlen edhe për Partizanin, ku edhe pse Veselinoviç tashmë e njeh shumë më mirë skuadrën, pa diskutim që i mbeten ende shumë të panjohura. Shumë më tepër vlen kjo për Laçin, ku trajneri Francesco Moriero ende nuk e ka bërë debutimin, ndërsa te Bylis Nevil Dede punoi me skuadrën diçka më tepër se një javë që nga emërimi e deri në ndërprerjen e kampionatit, një periudhë brenda së cilës pati dy humbje, me Elbasanin e Partizanin. Java e nëntë e Abissnet Superiore do të hapet me ndeshjet Laçi-Vllaznia dhe Egnatia-Teuta në orën 14.00, ndërsa tri orë më pas do të jetë derbi midis Tiranës e Dinamos. Të dielën në orën 14.00 Bylis pret Skënderbeun, ndërsa në orën 17.00 Elbasanin pret Partizanin.
sfidanti.al