Arratisje masive te Bylis, largohen 8 lojtarë

Në Ballsh tashmë futbolli i fushës ka rënë në qetësi, ndërsa administrata dhe presidenca janë në lëvizje, për t’i gjetur gati sezoni i ri në elitë. Ballshiotët do të jenë skuadra që do të kenë shumë lëvizje edhe këtë verë. Bylisi deri më tani ka pasur largime lojtarësh, ku bien në sy emra si: Ilieski, por edhe të tjerë futbollistë si: Hasanbelli, Mici, Papa, Baçi. Më herët edhe Mario Gjata, por edhe mesfushori Çejku, që nuk luajti thuajse fare me skuadrën e parë. Me shumë gjasa edhe sulmuesi Dabani, që pati hapësira të pakta mund të mos jetë pjesë e skuadrës në sezonin e ardhshëm. Pra, duket se Bylisi ka nisur riformatimin dhe duket se është ndarë me ata lojtarë, të cilët nuk dhanë atë që pritej.

Ndërkohë që kanë nisur negociatat dhe po shihet mundësia e afrimit të lojtarëve të rinj që kanë spikatur në ekipet e moshave, të cilët do të shërbejnë sidomos për U-19 e Bylisit, apo dhe ekipin “B “ku mund të aktivizohen dhe afirmohen, për të qenë gati për skuadrën e parë mallakastriote. Siç edhe dihet, pjesa më e madhe e lojtarëve janë nën kontratë, madje jo vetëm për vitin që vjen, ashtu sikurse duhet pranuar që shumë prej tyre mund të kërkohen sapo të hapet merkato, nga klube vendase, por edhe të huaja. Natyrisht që Bylisi kur bëhet fjalë për oferta që vlejnë, do të ketë negociata. Janë të shumta ekipet e Superiores që kanë hedhur “grepat” te xhevahiret e Bylisit, duke nisur që nga Partizani apo dhe Elbasani që pëlqejnë 2-3 lojtarë të mallakastriotëve.

Nga ana tjetër, ka edhe menaxherë që kërkojnë të joshin lojtarët e rinj vendas, por edhe të huaj. Bardhekuqtë mallakastriotë mbijetuan vetëm në javën e fundit në sezonin që sapo ka përfunduar, ndaj edhe duan që të jenë ndryshe në edicionin në vijim… Ndaj edhe puna do të përfshijë tërë strukturën e klubit, që nga skuadra e parë e deri te moshat apo dhe infrastruktura. Pasi synimet në sezonin e ardhshëm nuk do të jenë thjesht mbijetesa në elite.

sfidanti.al