Dikur bënte histori në futbollin italian dhe atë europian, por sot klubi i njohur, Sampdoria ndodhet në një gjendje kritike. Humbja e fundit ndaj Specias, e cila i afron me rënien në Serinë C, ka shkaktuar një situatë kaotike.
Atmosfera brenda autobusit të ekipit ishte e rënduar. Fytyrat e lodhura të lojtarëve nuk arrinin të gjenin qetësi, ndërsa sirenat e policisë që i shoqëronin gjatë rrugës vetëm sa e shtonin tensionin. Nga Xhenova vinin lajme shqetësuese, me tifozë të zemëruar që po përgatiteshin për një pritje kërcënuese. Në rrjetet sociale qarkullonin mesazhe të mbushura me zemërim, ndërsa në qendrën stërvitore ishin shkruar parulla kërcënuese që dëshmonin urrejtjen e thellë të tifozëve.
Autobusi i skuadrës u shoqërua nga eskorta e policisë, për të siguruar mbërritjen e lojtarëve në vendin ku kishin lënë makinat. Por, për shkak të rrezikut në rritje, u vendos që skuadra të strehohej në një vend sekret, ku do të qëndrojë deri të premten, për t’u përgatitur për ndeshjen e fundjavës ndaj Çitadelës në stadiumin “Luixhi Ferraris”.
Sampdoria ndodhet në zonën e rënies nga kategoria dhe rrezikon seriozisht shpërbërjen nëse përfundon në Serinë C. Një skenar i tillë do të ishte fundi i një klubi me 79 vite histori, që asnjëherë nuk ka rënë kaq poshtë. Vendimet e këqija, menaxhimi katastrofik dhe ndryshimet e shpeshta të pronarëve e kanë çuar klubin buzë greminës.
Vetëm dy fitore në 21 ndeshjet e fundit përfaqësojnë realitetin e trishtë të kësaj skuadre, ndoshta më të dobtën në historinë moderne të Sampdorias. Një skuadër që dikur shkëlqente në vitet ’80 dhe ’90, finaliste e Kupës së Kampioneve, fituese e Kupës së Kupave dhe krenari e futbollit italian, sot gjendet një hap larg zhdukjes. Rruga drejt këtij fundi ka qenë e gjatë: pronarë që përfunduan në burg, kërcënime me plumba në zarfe, faliment që u shmang për pak dhe një projekt ringritjeje që tani duket si një ëndërr naive.
Rënia në Serinë C do të shkatërrojë bazën mbi të cilën është ndërtuar plani i rimëkëmbjes financiare të klubit. Marrëveshjet për ristrukturimin e borxhit nuk parashikojnë këtë skenar, çka do të thotë se gjithë procesi do të dështojë. Madje, vetë organet e kontrollit do të duhet të konstatojnë se nuk ekziston më vijueshmëria e kompanisë.
Me fjalë të tjera, ajo që mund të ndodhë në aspektin financiar dhe organizativ është edhe më tragjike sesa rënia sportive. Dhe për tifozët, rikthimi i Sampdorias në lavdinë e dikurshme duket gjithnjë e më shumë si një “utopi xhenoveze”.
sfidanti.al