Shqipëria ka ngjitur tre vende në renditjen e re botërore të FIFA-s, publikuar sot. Ngjitja e kombëtares kuqezi ishte e pritshme pas fitoreve 3-0 me Çekinë në kualifikueset e evropianit 2024 dhe 2-0 në miqësoren me Bullgarinë. Skuadra e Silvinjos mban tani vendin e 53-të, me 1396.83 pikë, 19.36 më tepër se muajin e kaluar, duke qenë një nga skuadrat me rritjen më të madhe. Shqipëria është në ngjitje të vazhdueshme që nga qershori, kur ka nisur serinë e rezultateve pozitive, me pesë fitore dhe një barazim plot vlera në Çeki.
Janë të gjitha mundësitë që kuqezinjtë të vazhdojnë ngjitjen edhe muajin e ardhshëm, kur do të vendoset fati i kualifikimit në Euro 2024, ku Shqipërisë i duhet vetëm një pikë në dy ndeshje. Kundërshtarja e radhës, Moldavia, mban vendin e 157-të, me 1010 pikë, ndërsa Ishujt Faroe mban vendin 135, me 1106.5 pikë. Ndërkaq, Kosova është ngjitur në pozicionin më të mirë që nga anëtarësimi në FIFA, në vendin e 105-të, me 1190.74 pikë. Renditja vazhdon të kryesohet nga kampionia e botës, Argjentina, e ndjekur nga Franca dhe Brazili.
sfidanti.al