“Kanë ekuilibër mbrapa dhe kundërsulmojnë, janë të fortë fizikisht”. Është ky mendimi i mesfushorit të Tiranës, Regi Lushkja për kundërshtarin e radhës të kuqezinjve, Moldavinë, me të cilin do të përballen më 17 nëntor në një moment shumë të rëndësishëm të rrugëtimit drejt “Gjermani 2024”. I pranishëm në studion e emisionit “Zona 30” në RTSH, ndër të tjera, Lushkja ka folur dhe për situatën në kampin bardheblu apo eksperiencën e tij personale në Moldavi si pjesë e skuadrës së Sherif Tiraspol.
Regi, si po shkon sezoni, duket se po kalon një moment forme në rritje
“Po, le të themi disi në rritje sepse në ndeshjet e fundit kemi patur disa luhatje. Nuk kemi patur rezultatet e duhura, por besoj se me kontigjentin që kemi, me ekipin që kemi, po e kalojmë këtë periudhë negative. Normalisht që besoj shumë te ekipi dhe do jemi në rrugën e duhur shumë shpejtë”.
Si të duket kjo formula me një finale play off. Tek ty personalisht sa ndikon në nivelin e motivimit?
“Ndoshta tek të gjithë ekipet mund të ketë ulur pak impenjimin, motivimin e duhur, sepse me këtë formulë të re që është bërë, do luftojnë vetëm katër vendet e para për titullin në fund. Gjithsesi, ky nuk është justifikim, nuk mund të themi se nuk kemi marrë rezultatet e duhura pikërisht për këtë. Flas për Tiranën, është ekipi më i madh në Shqipëri dhe në çdo ndeshje futet për të fituar dhe normalisht që kërkon gjithmonë vendin e parë”.
Rivalët e këtij sezoni, Egnatia që po bën një kampionat fantastik, por edhe Partizani…
“Partizani është gjithmonë një rival i Tiranës, por edhe Egnatia ka një ekip shumë të mirë, me shumë kualitet, po bën një futboll të mirë dhe mendoj se do të jetë një rival për titull deri në fund”.
Je aktivizuar në 11 ndeshje këtë sezon, kjo është një skuadër më e fortë se ajo e sezonit të kaluar? Si e shikon?
“Kemi bërë një merkato shumë të mirë, cilësore. Janë ndryshuar shumë lojtarë. Duhet që lojtarët të njihen akoma më mirë me njëri tjetrin, sepse dihet, kur bën shumë ndryshime brenda një merkatoje, do duhet edhe kohë për përshtatjen. Por besoj shumë te kjo skuadër, kemi një tip ngërçi, por që do kalohet shumë shpejtë”.
Keni kaluar disa dëmtime, si ndiheni tani?
“Po, është e vërtetë që kam patur ca shqetësime të vogla, por tani ndihem më mirë, ndeshje pas ndeshje duke fituar besimin, duke u rikthyer aty ku më takon jo vetëm mua, por edhe ekipit”.
Te Tirana erdhe nga Moldavia, na fol pak për kulturën e futbollit atje?
“E dashurojnë futbollin ashtu si ne, e shikojnë si pasion. Kanë një ekip me lojtarë të rinj dhe po ta shikosh kontigjentin e tyre, kanë lojtarë nga kampionati vendas. U japin mundësinë dhe djemëve të rinj. Nga infrastruktura nuk është shumë mirë, me përjashtim të dy apo tre ekipeve, por kanë një kampionat shumë të luftuar”.
Cilat janë ngjashmëritë e skuadrës moldave(FC Sheriff) me Tiranën në kuptimin organizativ?
“Ekipi i Sheriff vitet e fundit gjithmonë kërkon të kapë grupet e Europa apo Champions League, ky ka qenë synimi i tyre dhe kanë investuar shumë vitet e fundit. Kanë patur ekip shumë të mirë këto 3-4 vite. Normalisht, kur kanë një qëllim të tillë, fokusohen 100% që të futen në grupet e Europa League apo Champions League, sigurisht që do kenë edhe sukses, sepse marrin lojtarë me cilësi, paguajnë mirë, kushtet janë shumë të mira”.
Përse u largove nga Moldavia?
“Në të gjitha ndeshjet që kisha, në kualifikueset e Europa League, isha titullar i padiskutueshëm me një trajner kroat që kishim. Ne u kualifikuam në grupet e Europa League, për fat të keq nuk mundëm të kualifikoheshim në grupet e Champions. Më pas ndodhën disa konflikte me drejtuesit, për këtë më lanë jashtë skuadre. Nuk e prita mirë, sepse kishim një grup fantastik, luanim ndaj Manchester United dhe Sociedad. Kështu kërkova që të largohesha”
Shqipëria do të luajë një ndeshje delikate në 17 nëntor. Ti me siguri e njeh mirë stilin e lojës së moldavëve. Do të jetë e vështirë?
“Siç e kemi parë, është treguar një ekip shumë i mirë. Ka ekuilibër mbrapa dhe kundërsulmon. Edhe nga ana fizike janë shumë mirë, vrapojnë. Edhe në ndeshjen e parë hasëm problem, deri sa gjetëm rrugën e rrjetës, më pas u bë më e lehtë. Ne jemi shumë mirë tani, ekipin e kemi perfekt, duhet të jemi të qetë, jemi të parët në grup, mendoj se do e kalojmë me sukses dhe këtë ndeshje”.
Personalisht, shpreson ende te kombëtarja? Trajneri Sylvinho ka treguar se nuk vendos barrier.
“Sigurisht që e shpresoj, por çdo gjë ka kohën e vet. Ka shembuj sa të duash, siç ishin Asani apo Seferi. Trajneri Sylvinho u ka besuar dhe ata ia kanë shpërblyer dhe normalisht që kanë ecur shumë përpara. Ka dhe lojtarë të tjerë me shumë kualitet në Superiore, mund të jenë alternativa për Kombëtaren”.
Është e vështirë të luash çdo 3 apo 4 ditë?
“E vështirë është, por jemi futbollistë dhe stërvitemi për këtë punë. Mendoj që e përballojmë mjaft mirë”.
2 sezone në Kavajë, 7 në Laç, 2 në Moldavi dhe 2 me Tiranën edhe pse erdhe vetëm në janar, cilin veçon?
“Të them të drejtën momentet më të mira i kam kaluar te ekipi i Laçit, sepse aty kam patur hapat e para në Superiore e më pas në Europë. Më pas pata dhe transferimin në Moldavi, që ishte një moment shumë i mirë”.
sfidanti.al