Reali Madridi përfiton mbi 140 milionë euro nga triumfi në Champions League

Reali i Madridit vazhdon të marrë faqet e para të mediave botërore, edhe pas suksesit në Ligën e Kampioneve. Pasi shtoi edhe më tej palmaresin e tij ndërkombëtar, duke e çuar në 15 numrin e Champions League në histori, tani është koha që klubi spanjoll të korrë edhe fitimet ekonomike nga UEFA. Sipas asaj që raporton dje katalanasja “MundoDeportivo”, presidenti Florentino Perez shumë shpejt do të shohë të shtojë në arkat e klubit jo pak, por plot 141 milionë e 520 mijë euro. Kësaj shifre do t’i shtohen gjithashtu pak muaj më vonë edhe 3.5 milionë euro, si pjesëmarrës i finales së Superkupës së Europës (kundër Atalantës, fituesja e Ligës së Europës), plus 1 milion tjetër në rast se arrin që ta fitojë atë.

Gjithsesi, duke mbetur tek arkëtimet e sezonit marramendës dhe pa asnjë humbje (rekord historik për “Galaktikët”, njësoj si Barcelona e sezonit 2008-2009) shifrat thonë: 15 milionë e 640 mijë euro, premio e pjesëmarrjes në edicionin e sapo mbyllur, ndërkohë që menjëherë me to Reali i Madridit ka përfituar nga UEFA edhe 36.38 milionë euro nga renditja historike në kompeticionin më të rëndësishëm për klube. Ndërkohë, fakti që arriti të mbyllë edhe fazën e grupeve me 6 fitore, ku secila dhuron 2.8 milionë euro, përfitimi nga ky triumf absolut garantoi edhe 16.8 milionë euro të tjera.

Kualifikimi në 1/8-at eturneut i solli 9.6 milionë, kalimi në çerekfinale 10.6, në gjysmëfinale 12.5 milionë dhe ngritja e trofeut edhe 20 milionë euro të tjera. Në të njëjtën kohë, 20 milionë euro janë bonusi i”market pool”-it të UEFA-s që e dërgon shifrën totale në 141. 52milionë euro. Dhe të mendosh që këtu mungojnë fitimet e vetë klubit nga shitja e biletave të “Santiago Bernabeut”, fitimet nga dyqanet e markës “Real Madrid”, apo edhe gjithçka tjetër ofron impianti i rekordmenëve të Europës, të cilat mund t’i dërgojnë shifrat e fitimeve të “Los Blancos”, vetëm nga aventura në Champions, në nivele stratosferike.

sfidanti.al