Reading rrezikon zhdukjen

Një prej klubeve më të vjetër të Anglisë rrezikon zhdukjen. Sinjalet që erdhën nga ndeshja Reading-Port Vale ku një grup tifozësh vendas mësynë në fushë duke ndërprerë sfidën në shenjë proteste ndaj pronarit kinez Dai Yongee, janë shqetësuese. Ndeshja u ndërpre për 16 minuta por nuk është shqetësimi kryesor një vendim i ashpër i disiplinës, pasi Reading rrezikon zhdukjen nga harta e futbollit britanik. Që prej fillimit të vitit 2022 e deri më sot nën drejtimin e pronarit aziatik Reading është përballur me 16 pikë penalizime, rrëzim në League One për herë të parë në 22 vjet, merkaton e bllokuar për 5 sezone, gjoba për mospagesa të taksave, shkurtime të kostove për skuadrën ku përfshihen hotelet, ushqimi dhe ngrohja në zyrat e klubit. Lojtarët më të rëndësishëm janë shitur pa asnjë konsultë me trajnerët ndërsa Dai Yongee nuk ka dhënë asnjë intervistë apo të ketë mbajtur një qëndrim publik në lidhje mekëto probleme. “English Football League” që nuk ka ndërmarrë asnjë masë deri në këto momente, e ka gjobitur pronarin kinez dhe e ka nxitur të shesë kuotat e aksioneve te komuniteti dhe tifozët. Liga do të zhvillojë një takim edhe me tifozët për të kuptuar se çfarë hapash mund të ndërmerren pasi këtu bëhet fjalë për një nga klubet më të vjetra të Anglisë, një trashëgimi e futbollit në Mbretërinë e Bashkuar. Një nga alternativat është rrëzimi i klubit dhe më pas rifillimi nga e para. Edhe pse një alternativë radikale, mund të jetë rruga e vetme që tifozët të heqin qafe presidentin e urryer.

sfidanti.al