Bursaspor, nga parajsa në ferr

14 vjet nga fitorja e titullit historik në Turqi që theu hegjemoninë e treshes së Stambollit, Fenerbahce, Galatasaray, Besiktas, klubi i Bursaspor rrezikon të humbasë gjithçka. Në këto 14 vite, pavarësisht ndërtimit të një stadiumi fantastik në formën e krokodilit dhe titullit të parë e të vetëm të historisë, Bursaspor ka humbur pothuajse gjithçka. Klubi u themelua në vitin 1963 ndërsa në vitin 2010 bëri mrekullinë e madhe duke fituar titullin me 75 pikë dhe sulmin më të mirë të sezonit. Ky vit u duk se hodhi bazat edhe për një fuqi të katërt të futbollit turk por bardhjeshilët, edhe pse në vitin 2015 inaguruan stadiumin me formën më të veçantë në planet, nisën të përballen me probleme të mëdha. Në sezonin 2016-2017 Bursaspor reduktoi shpenzimet ndërsa në 2018-2019 u rrëzua në ligën e dytë. Nuk përfundon me kaq sepse dy sezone më vonë Bursaspor zbriti edhe më poshtë në Ligën e tretë ku sezonin e kaluar rrezikoi madje të rrëzohej edhe më poshtë. Aktualisht, Bursaspor mbetet në vendin e tretë nga fundi dhe me merkaton e bllokuar dhe një skuadër me lojtarë të rinj e pak shpresa për mbijetesën. Rrëzimi në Kategorinë e Katërt me shumë mundësi do të ishte fundi për një klub që vetëm një dekadë e gjysmë më parë kompletoi mrekullinë duke u bërë klubi i dytë pas Trabzonspor që u kundërvihet superfuqive të Stambollit.

sfidanti.al