Ky gol u duk sikur u shënua nga skuadra e tyre. Ishte Kosta Rika në fushë në ndeshjen e parë të kësaj të diele në Botëror, veçse kur Kejsher Fuler tundi rrjetën e Japonisë, për tifozët gjermanë ishte një moment i madh. Falë suksesit të kostarikanëve, kombëtarja e tyre ka shpresë të kualifikohet për në raundin e dytë edhe nëse humbet sonte ndaj Spanjës. Gjithsesi, katër herë kampionët e botës e dinë se nuk mund të bëjnë llogari të tilla dhe se synimi i tyre duhet të jetë që të mposhtin “Furitë e Kuqe” në duelin e orës 20:00. Humbja me Japoninë sidoqoftë ishte një goditje e rëndë sidomos për besimin.
Trajneri Hansi Flik nuk pritet të bëjë ndryshime të shumta pasi ekipi është ky që është, e ndoshta vetëm Kai Haverci mund ta humbasë vendin në sulm. “Natyrisht ne duam që të fitojmë, por për këtë duhet të jemi në formën më të mirë, – tha ai, – Futbollistët duhet të tregojnë karakterin ndaj Spanjës. Ne e dimë se duhet të luajmë ndryshe. Edhe pse për 70 minuta ndaj Japonisë ne patëm epërsi, jemi të ndërgjegjshëm se nuk bëmë lojën që duhej të bënim. Kritikat ndaj nesh janë të drejta”.
Spanja jepet favorite, por edhe vetë trajneri Luis Enrike e di se nuk mund ta besojë shumë këtë parashikim. Edhe për spanjollët nuk priten ndryshime të shumta në formacion, pasi nuk ka dëmtime, dhe në mesfushë do të jenë dy yjet e Barcelonës, Gavi e Pedri. Fitorja 7-0 ndaj Kosta Rikës ishte një nisje e përsosur e Kupës së Botës, por Luis Enrike tregohet i kujdesshëm kur flet për kundërshtarin e sotëm.
“Unë besoj se Gjermania është një kombëtare agresive që luan në sulm, – deklaroi ai, – Ndoshta, humbja me Japoninë e kushtëzon dhe e vendos nën presion, por është ekip që sulmon dhe dëshiron të zotërojë topin. Për këtë arsye, mendoj se i ngjan shumë Spanjës. Për ne do të jetë një sfidë shumë e fortë, e hapur dhe e bukur, që nuk mund të parashikohet”. Spanja mbetet favorite, por Gjermania është më e qetë sepse mund të kualifikohet edhe nëse humbet sot.
Sfidanti.al