“Portokalli” është ngjyra e Botërorit, por Holanda nuk bindi!

Fitorja u arrit dhe madje ndaj një kundërshtari të respektuar si kampionia e Afrikës, Senegali. Edhe shifrat ishin mjaft të mira 2-0, e pra s’ka si bëhet më mirë. Gjithsesi, Holanda nuk bindi plotësisht në këtë sukses, dhe u desh gabimi i portierit të Çelsit, Mendi, në të dy golat, që të kalohej rezistenca e afrikanëve, që ishin pa Sadio Manenë e dëmtuar. Më i miri në fushë për “tulipanët” ishte Kodi Gakpo, lojtari i krahut që luan për PSV Ajndhovenin. Gjithsesi, “portokallinjtë” e Van Galit u dukën shumë më mirë kur në fushë hyri Memfis Depai që u kthye nga dëmtimi. Van Gali e cilësoi fitoren “shumë të rëndësishme, edhe pse jo vendimtare”, ndërsa premtoi se ekipi i tij mund të luajë më mirë. “Memfisi luajti një rol të rëndësishëm, – tha ai, – nëse nuk do të ketë probleme, ndaj Ekuadorit, Depai do të luajë 45 minuta”.

Sfidanti.al