Porta e Tiranës i sjell fat Dinamos

Dinamo dhe Tirana do të luajnë nesër derbin e fundit sezonal mes tyre. Në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 19:00, dy skuadrat kryeqytetase luajnë një ndeshje vërtet delikate për objektivat e tyre: blutë për Europën dhe bardheblutë për mbijetesën. Gjatë këtij sezoni Dinamo e Ilir Dajës nuk ka humbur asnjëherë ndaj Tiranës. Në 5 përballje të deritanishme, blutë kanë regjistruar 4 fitore dhe 1 barazim. Jo vetëm kaq, por në portën e Tiranës Dinamo ka shënuar më shumë gola se në asnjë portë tjetër.

Në tri përballjet e kampionatit, Dinamo i ka shënuar 9 gola Tiranës (1-2, 6-2 dhe 1-1). Në dy përballjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë blutë fituan dy herë me rezultatin 2-0, 4 gola të shënuar dhe asnjë i pësuar. Në total në 5 sfida bëhen 13 gola të realizuar nga skuadra e Dajës dhe 4 nga ajo që aktualisht drejtohet nga Orges Shehi.

Ndeshja e së shtunës në mbrëmje ka një rëndësi të veçantë dhe pritet të jetë mjaft e luftuar. Trajneri Ilir Daja pritet të ketë mungesa, siç janë Bernard Berisha dhe Saliu Guindo, ndërsa Klevi Qefalija është në luftë me kohën. Rikthehet nga skualifikimi Dejvi Bregu, që mungoi në Ballsh për shkak kartonësh. Tirana në anën tjetër vjen me grup të plotë dhe pas fitores me Egnatian, do të përpiqet të befasojë edhe Dinamon.

sfidanti.al