Plani sekret i Infantinos për Superligën e Europës

Zbulohet jnë prapaskenë e pabesueshme e presidentit të FIFA-s, që donte të krijonte dhe të administronte kompeticionin anti-Champions.

“The Guardian” rishkruan historinë e Superligës. Pas idesë për t’u shitur një kuotë të pjesës komerciale të Kupës së Botës investitorëve privatë, – e kundërshtuar fuqishëm nga UEFA, – presidenti i FIFA-s Gianni Infantino ka përfunduar sërish në syrin e ciklonit.

E përditshmja britanike zotëron një dokument të rezervuar të tetorit 2020, ku flitet për lindjen e “Fifa Super League”, apo të Superligës, e lindur dhe e vdekur brenda 48 orësh në prill të 2021-shit, e administruar nga FIFA. Në atë kohë Infantino doli kundër krijimit të Superligës dhe në mbështetje të presidentit të UEFA-s, Ceferin, por nga ky dokument zbulohet se presidenti i FIFA-s pak muaj më parë kishte lëvizur për të krijuar një kompeticion të pavarur për të zgjeruar biznesin e FIFA-s, duke rivalizuar UEFA-n me Champions-in e saj.

Në bazë të dokumentit që disponon “The Guardian”, partnershipi mes FIFA-s dhe Superligës do të zgjaste të paktën 12 vjet, me krijimin e një “joint venture” për të administruar operacionet komerciale jo vetëm të “Fifa Super League”, por edhe me objektivin për një Botëror klubesh të zgjeruar, që do të zhvillohej çdo vit për tri javë.

Super League do të përbëhej nga 15 pjesëtarë permanentë dhe 5 klube të kualifikuar nëpërmjet kompeticioneve ekzistuese. FIFA do të përfitonte një “pjesëmarrje aksionare të privilegjuar”, e quajtur edhe “golden share”, një lloj fjale të fundit mbi modifikimet e formatit dhe kalendarin, mbi shpërndarjen e fondeve dhe nominimin e administratorit të deleguar.

Plani parashikonte edhe një reduktim të hapësirave për kombëtaret me dy periudha prej dy javësh secila në vit. Në dokumentin sekret, enti federal identifikohej me siglën e kodifikuar WO1, që tregon hierarkinë e zyrtarëve më të lartë të ushtrisë britanike.