“Përforcim” i madh në sulm për Partizanin para ndeshjes së kthimit

Partizani barazoi 1-1 në transfertë ndaj Kaljus në Estoni, duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në ndeshjen e kthimit, në turin e parë të Conference League. Ekipi i drejtuar nga Skënder Gega pati një sfidë të vështirë, të shoqëruar me mungesa dhe dëmtime. Albers Keko, një nga sulmuesit më në formë, u detyrua të largohej i dëmtuar në pjesën e parë, ndërsa Vusal Isgandarli nuk ishte i gatshëm për shkak të problemeve me pasaportën. Sulmuesi nga Azerbajxhani do të jetë i gatshëm për ndeshjen e kthimit.

Përveç Kekos që është në dyshim, Partizanit do i mungojë edhe Bintsouka, i cili nuk është pjesë e listës. Mesfusha ishte pika më e dobët, me lojtarë shumë të rinj në moshë dhe pa eksperiencë ndërkombëtare. Për Gegën, kjo ishte një ndeshje sakrifice dhe improvizimesh. Skuadra do të përballet me të njëjtët emra edhe në sfidën e kthimit, pasi lista nuk mund të ndryshohet. Mbetet për t’u parë nëse Partizani do të shfrytëzojë avantazhin e fushës për të siguruar kalimin në turin tjetër.

sfidanti.al